SHEFI & STAFI

Fundim Gjepali në :

Padam Boutique Hotel & Restaurant: www.padam.al

Antico Arco Restaurant: www.anticoarco.it

Kush është Shef Fundimi

Fundim Gjepali ka lindur në Shijak në një familje të madhe dhe me tradita në gatim. Ai është rritur në fshat mes ushqimit të shëndetshëm dhe dashurisë për kuzhinën biologjike të cilën e ka trashëguar nga familja. Sot ai është 35 vjeç, në kulmin e karrierës. Ka kaluar 14 vitet e fëmijërisë në Shijak ku sot ka prindërit e vëllezërit. Në 1996-ën ka emigruar drejt Italisë.

Pas disa eksperiencash në restorantet më në zë në Itali, atij nuk iu desh shumë kohë deri sa të bëhej ndihmës kuzhinier. Dinte ku të vinte duart, si të priste, të pastronte, të përziente erëzat, perimet, djathërat e mishrat.

Gjepali ka ndjekur me dhjetëra stazhe e konferenca, në Francë, Spanjë, Itali, në të cilat mëson gjithnjë, jo thjesht receta të reja, por kombinime të mundshme përbërësish, metoda e teknika të reja konservimi, përdorimi, “ndërtimi” dhe paraqitjeje të pjatave. Kështu, falë talentit të lindur, mendjes së hapur ndaj gjithçkaje të re, dashurisë dhe respektit për çdo ushqim dhe ingredient të tij, teknikave dhe metodave që ka mësuar ndër vite, sot ai është një shef kuzhine i lakmuar. Në shumë konkurse është vlerësuar për aftësinë e tij të jashtëzakonshme në gatim ku është nderuar edhe me shumë çmime. Në 2014-ën është vlerësuar me çmimin e parë në Gran Prix Ndërkombëtar të Kuzhinës Mesdhetare dhe gjithashtu është vlerësuar me dy pirun nga guida Gambero Rosso nga viti 2012 deri më tani.

Në Tetor të vitit 2016 ai fitoi kompeticionin “LA GRANDA” për recetën më të mirë të mishit dhe u nderua me një guidë historike “Touring Club Italiano” me restorantin Antico Arco.

Në 28 Dhjetor 2016 me Padam Boutique Hotel & Restaurant, ai fitoi edicionin e katërt të “Golden Bee” për kategorinë e restorantit. Kompeticioni u organizua nga Kryeministri për të shpërblyer kompanitë e suksesshme.

Prej vitesh drejton kuzhinën e restorantit “Antico Arco”, që konsiderohet ndër restorantet më të mira në Romë. Restorant që ka histori të gjatë, ku Fundimi është bërë pjesë e një grupi, për të shtuar, për të përmirësuar punën që të tjerë kanë bërë para tij. Gjatë këtyre viteve aty ka pritur e përcjellur edhe shumë personalitete shqiptare si : politikanë, artistë, gazetarë etj. Ka gatuar për disa emra të njohur italian. Ka arritur të futet edhe në drekat dhe darkat qeveritare në Itali duke gatuar edhe për kryeministrin Italian, Mateo Renzzi. Fundimi është gjithashtu në jurinë e MaterChef Albania duke promovuar dhe mësuar brezat e rinj në fushën e gatimit.

Por, këto kohë gatimet e Fundimit mund t’i shijoni edhe në kryeqytet, Tiranë. Atë që i ka dhënë Roma dhe Italia ai po e ndan me shqiptarët, duke hapur edhe këtu një restorant. Recetat dhe specialet e shef Fundimit i gjeni në Restorant Padam, në zemër të Tiranës. Enkas për këtë restorant ai ka ndërtuar një nga fermat më model në Shqipëri ku prodhon erëza të freskëta dhe produkte organike të cilat e ndihmojnë shumë në punën e tij dhe i japin një vlerë të jashtëzakonshme gatimit. Ai bashkëpunon me Institucione të ndryshme nga e gjithë bota për të prezantuar kulinarinë dhe verën Shqiptare.